Sherbime per grate dhe femijet

Me Kurse trajnimi për bebisiter Për nënat e fëmijëve që frekuentojnë Qendrën ditore, por edhe të tjera, anëtare apo mikesha të Shoqatës, funksionon edhe një Qendër këshillimi. Probleme që kanë të bëjnë me edukimin e fëmijëve, me psikologjinë e tyre, por edhe ato që u takojnë vetë nënave, mund të diskutohen me një psikolog si dhe një punonjëse sociale, por edhe midis vetë nënave, të cilat kanë një shqetësim të përbashkët.

Një Bibliotekë për gra e vajza – e para dhe deri më sot e vetmja bibliotekë e këtij lloji – gjendet në mjediset e Shoqatës. Mbi 3000 tituj librash, por edhe revista e gazeta në shqip e në gjuhë të huaja janë në dispozicion të grave e të vajzave.
Pjesë e kësaj biblioteke është, gjithashtu, Biblioteka e prindit, e ngritur për t’u shfrytëzuar posaçërisht prej prindërve të fëmijëve.

Mjediset e bibliotekës janë një vend që gratë dhe vajzat e frekuentojnë jo vetëm për të huajtur libra, revista e gazeta, por edhe për t’u takuar me njëra-tjetrën, për të biseduar e diskutuar, e mbi të gjitha për t’u informuar e mësuar lidhur me çështje në interes të tyre. Për këtë qëllim, një herë në muaj  organizohen takime me profesionistë e specialistë të fushave të ndryshme, sipas nevojave dhe kërkesave që kanë vetë gratë e vajzat. Biblioteka funksionon kështu edhe si një Qendër burimore informimi, edukimi dhe shoqërizimi për gra e vajza.

Qendra e punësimit, që ndërmjetëson për punësimin e grave e të vajzave të trajnuara si bebisiter dhe punëtore pastrimi, ofron në të njëjtën kohë një shërbim të rëndësishëm për një tjetër kategori, atë të grave që punojnë: iu garanton e iu  siguron bebisiter e punëtore pastrimi të formuara profesionalisht. Në këtë mënyrë grave dhe vajzave iu lehtësohet angazhimi në veprimtaritë profesionale e publike, madje ato nxiten të marrin pjesë sa më aktivisht në to.