Ndërhyrjet me bazë komunitetin

Projekti “Fëmijët në qendër të politikave lokale të mbrojtjes sociale” është projekti i zbatuar nga YWCA me mbështetjen e UNICEF dhe USAID në qytetin e Lezhës, Durrësit dhe Beratit. Nëpërmjet kësaj iniciative është synuar që familjet me më shumë se 3 fëmijë, përfitues të ndihmës ekonomike, të fuqizohen me informacione dhe njohuritë e nevojshme rreth shërbimeve të lidhura me mbrojtjen sociale, me qëllim pasjen e aksesit të plotë ndaj tyre.  

Në kuadër të projektit, janë realizuar aktivitetet e mëposhtme: 

-Takimet mujore mobilizuese

YWCA of Albania ka zhvilluar takime informative me familjet me ndihmë ekonomike, si një ndër objektivat kryesore të fuqizimit të tyre. Temat e trajtuara janë lidhur me nevojat e target grupit dhe shërbimeve sociale të ofruara. Gjatë takimeve është diskutuar rreth shëndetit, parandalimit të kancerit të gjirit, mbrojtjes së fëmijëve nga Covid-19 përgjatë situatës së pandemisë, si dhe dhunës me bazë gjinore. Aktivitetet kanë pasur si qëllim fuqizimin e familjeve me ndihmë ekonomike nëpërmjet ndarjes së informacionit dhe lehtësimit të aksesit ndaj shërbimeve sociale. Rreth 150 familje, përfituese të ndihmës ekonomike kanë marrë pjesë në takime. 

-Dizenjimi i broshurave 

Si të mbrohemi nga Covid-19. YWCA ka dizenjuar një broshurë të lidhur me mbrojtjen nga Covid-19. Individët me të ardhura të pakta konsiderohen si një grup shumë vulnerabël dhe i rrezikuar ndaj virusit. Kështu broshura shpjegon disa masa parandaluese, si dhe simptomat shoqëruese. Duke qenë se target grupi ka vështirësi në të kuptuarin e informacionit, tek materiali është përdorur një gjuhë sa më e thjeshtë. Në një pjesë të konsiderueshme të broshurës janë përdorur figurat,  të cilat rishpjegojnë edhe një herë pjesët e shkruara. 

Si të qepim maskat. Maskat janë një nga mënyrat kryesore për parandalimin dhe mbrojtjen nga Covid-19. Broshura shpjegon sesi mund të qepen maskat në kushtet e shtëpisë, me qëllim që familjet me të ardhura të pakta të kenë mundësi të jenë të mbrojtura. Këto maska mund të përdoren disa herë. 

-Vlerësimi i situatës 

YWCA ka vlerësuar perceptimet e familjeve me të ardhura të pakta dhe përfaqësuesve të shërbimeve sociale rreth procesit të marrjes së ndihmës ekonomike, hapat, procedurat, barrierat, vështirësitë, si dhe sugjerimet për përmirësimin e mëtejshëm. Fokus grupet, intervistat dhe vëzhgimi kanë qenë mënyrat kryesore të mbledhjes së të dhënave, të cilat më pas janë analizuar për të identifikuar nevojat dhe për të dhënë rekomandime të nevojshme. Bazuar tek gjetjet e vlerësimit, përmirësimi i shërbimeve sociale dhe integrimi i familjeve me të ardhura të pakta në shoqëri janë procese shumë të nevojshme dhe që duhet të ndodhin sa më shpejt. Duke qenë se ndihma ekonomike cash është konsideruar e pamjaftueshme dhe bazike, mekanizmat e mbrojtjes sociale duhet të ofrojnë shërbime shtesë, aftësim profesional dhe edukativ, me qëllim që përftituesit e ndihmës ekonomike të kenë mundësi që të përfshihen në tregun e punës dhe komunitet.  

-Shpërndarja e paketave me produkte higjenike dhe ushqimore 

YWCA of Albania ka shpërndarë 670 paketa për të mbështetur familjet vulnerable me tre ose më shumë fëmijë. Paketat përmbanin produkte ushqimore dhe higjenike, me qëllim rritjen e aksesit të këtij target grupi në shërbimet ushqimore dhe higjenike. Mbështetja me paketa është konsideruar si një nevojë shumë e madhe bazuar në vlerësimin e situatës nëpërmjet fokus grupeve të realizuara në fazat e para të këtij projekti. Nëpërmet kujdesit dhe mbështetjes implementimi ka synuar përmirësimin e cilësisë së jetës së familjeve me ndhmë ekonomike. Shpërndarja e paketave i ka ndihmuar familjet të plotësojnë nevojat e tyre të lidhura me mungesën e burimeve jetike. 

 

Projekti “Koalicionet e Amerikës për Anti-drogën në Komunitet”

YWCA në bashkëpunim me CADCA ka zbatuar strategji parandaluese kundër përdorimit të alkoolit dhe drogës. Puna në këtë projekt pasqyron misionin e tij të brendshëm: të krijojë komunitete të sigurta, të shëndetshme dhe pa substanca.

Kjo nismë është zbatuar në dy qytete: Tiranë dhe Shkodër. YWCA dhe CADCA kanë punuar për të forcuar kapacitetin e koalicioneve të komunitetit duke ofruar ndihmë teknike dhe trajnime, edukim dhe advokim mbi politikat publike, strategji mediatike specifike të koalicionit dhe ngjarje të tjera të veçanta.

Duke u bazuar në objektivat e kësaj nisme, janë zhvilluar aktivitete të ndryshme për të rritur ndërgjegjësimin e komunitetit në lidhje me këto çështje të ndjeshme.

Aktivitetet në shkolla

Koalicioni CADA-10 dhe DMA kanë organizuar shumë aktivitete në shkolla të ndryshme përgjatë vitit. Në këto diskutime të hapura është prezantuar qëllimi i koalicioneve, arsyet kryesore pse të rinjtë përdorin drogë dhe alkool, është diskutuar mbi marrëdhënien që ekziston midis shqetësimeve psikologjike dhe varësisë tek të rinjtë, si dhe u ndanë histori të vërteta dhe përvoja personale. Studentët u nxitën për të qenë pjesëmarrës aktivë në krijimin e një komuniteti të sigurt dhe të shëndetshëm, duke u bërë pjesë e koalicioneve CADA-10 dhe DMA.

Aktivitetet në komunitet

Pastrimi i një zone “të nxehtë”. Anëtarët e koalicionit DMA kanë identifikuar një zonë “të nxehtë” dhe kanë ndërtuar një strategji ndërhyrjeje. Në bashkëpunim me struktura të ndryshme të komunitetit, koalicioni punoi për pastrimin e zonës dhe transformimin e saj në një vend miqësor, përmes ndriçimit të rrugës dhe pikturimit të murit nga anëtarët e të sektorit të rinisë.

Shpërndarja e paketave me produkte ushqimore. Në Ditën Ndërkombëtare kundër Varfërisë, koalicioni DMA në bashkëpunim me 12 markete ka mbështetur familjet me të ardhura të ulëta dhe familjet me probleme të përdorimit dhe abuzimit me substancat.

Rruga Islam Alla. Rruga “Islam Alla” u identifikua si një pikë e nxehtë nga anëtarët e koalicionit. Për këtë arsye, në bashkëpunim me Njësinë administrative Nr. 10, anëtarët e koalicionit CADA-10 vendosën të ndriçonin zonën, si një mënyrë që ajo të frekuentohej më pak nga përdoruesit e substancave.

Takime me përfaqësues të shërbimeve sociale. Koalicioni DMA ka zhvilluar takime me përfaqësues të Njësive Administrative të bashkisë Shkodër. Përmes këtij aktiviteti u mblodhën informacione në lidhje me situatën aktuale, veçanërisht lidhur me përdorimin e alkoolit dhe drogës.

Për një jetë pa drogë dhe alkool. Koalicioni DMA ka zhvilluar një aktivitet sensibilizues në malin Tarabosh, i identifikuar si një zonë e nxehtë nga anëtarët e koalicionit. Motoja e aktivitetit ishte “Për një jetë pa drogë dhe alkool”. Zona u pastrua dhe u shndërrua në një vend miqësor për të zhvilluar ndërveprime të shëndetshme midis anëtarëve të komunitetit.

Rritja e ndërgjegjësimit përmes artit

Nxënësit e shkollave, pjesë e koalicioneve CADA-10 dhe DMA kanë dizenjuar postera me mesazhe ndërgjegjësimi mbi varësinë nën moton “Jo Drogë, Jo Alkool”. Arti është një mjet efektiv komunikimi për të trajtuar këto tema sensitive. Pikturat shprehnin perspektivat e të rinjve mbi varësinë dhe rëndësinë e parandalimit.

Krijimi i videove

Koalicionet krijuan video sensibilizuese që përmbajnë fakte në lidhje me përdorimin e drogës dhe alkoolit, piktura, simptomat e varësisë, modelet e sjelljes dhe shqetësimet emocionale. Gjithashtu, të rinjtë ishin pjesë e videove, me mesazhe ndërgjegjësimi dhe parandalimi në lidhje me abuzimin me drogën dhe alkoolin.

Materialet ndëgjegjësuese

Informacioni është strategjia kryesore e parandalimit të abuzimit me drogën dhe alkoolin. Anëtarët e koalicioneve punuan së bashku për të krijuar materiale ndërgjegjësuese të cilat janë shpërndarë në rrjetet sociale dhe grupet e koalicionit. Ndërgjegjësimi dhe angazhimi aktiv janë strategjitë kryesore për edukimin e të rinjve që zgjedhin vlerat e jetës.

Fushata intensive në rrjetet sociale

Anëtarët e koalicioneve, me mbështetjen e YWCA janë angazhuar në fushatën në rrjete sociale. Tema e fushatës intensive ishte: “Shëndeti mendor dhe përdorimi i substancave”. Duke qenë se tetori është muaji që lidhet me ndërgjegjësimin për shëndetin mendor, koalicioni vendosi të përqendrohet në këtë çështje të rëndësishme. Anëtarët kanë mbledhur dhe përzgjedhur materialet. Gjithashtu disa anëtarë të tjerë të koalicionit kanë punuar për të hartuar postera, me elementë tërheqës dhe kuptimplotë. Temat e përzgjedhura nga koalicionet ishin: eleminimi i stigmës; lidhja midis shëndetit mendor dhe përdorimit të substancave; trauma dhe përdorimi i substancave; ndikimi i dhimbjes emocionale; dhe misioni i koalicioneve.

 

Projekti “Mbështesim të rinjtë në përballjen me Covid-19” i zbatuar nga YWCA of Albania me mbështetjen e Global Albanians Foundation u implementua përmes shpërndarjes së paketave me produkte ushqimore dhe higjenike. Mbështetja me ushqime dhe produkte higjienike ishte një nevojë e rëndësishme bazuar në vlerësimin që ne i bëmë situatës. Nivelet e ulëta të të ardhurave, për shkak të Covid-19 në Shqipëri kanë ulur aksesin tek ushqimi dhe higjena e shëndetshme. Një trajtim i veçantë për të siguruar shëndetin e të rinjve u realizua përmes kësaj nisme.

Qëllimi kryesor i projektit ishte mbështetja e të rinjve, si një sfidë e hasur për shkak të vështirësive ekonomike. Ndikimi lidhet me përmirësimin e situatës së tyre. Pra, produktet higjenike, duke shërbyer si masa mbrojtëse, kanë ndikuar pozitivisht në shëndetin e tyre. Në të njëjtën mënyrë, paketat me ushqime ishin të nevojshme për të siguruar një mënyrë jetese dhe zhvillim të shëndetshëm.

Një ndikim i rëndësishëm është gjithashtu impakti në shëndetin mendor. Përmbushja e nevojave të tyre themelore dhe gatishmëria për t’i mbështetur ato shoqërohen me përmirësimin e mirëqenies psikologjike.

YWCA of Albania ka zhvilluar aktivitetet e mëposhtme:

Kontaktimi i target grupit dhe shpërndarja e paketave me produkte ushqimore dhe higjenike. YWCA of Albania në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale Arsimore, Berat ka përzgjedhur në mënyrë rastësore të rinjtë, bazuar në kritere specifike. Stafi dhe vullnetarët e YWCAof Albania u angazhuan në shpërndarjen e paketave me produkte ushqimore dhe higjienike në Berat.

Aktiviteti ndërgjegjësues. YWCA of Albania, mbështetur nga Drejtoria Rajonale Arsimore, Berat, ka zhvilluar një aktivitet sensibilizues, për të diskutuar hapat e mëtejshëm në lidhje me fuqizimin e të rinjve. Identifikimi i nevojave të tyre shërbeu për të hartuar strategjinë e përgjigjes.

 

Projekti “Fuqizimi i partneriteteve lokale gjatë pandemisë Covid-19”: YWCA of Albania me mbështetjen e UNAIDS, UNFPA dhe World ka krijuar që nga viti 2015, mekanizmin lokal të pjesëmarrjes të quajtur “partneritetet lokale”. Kjo ndërhyrje synon të katalizojë ndërveprimet lokale midis palëve të interesuara dhe partnerëve në identifikimin e problematikave, zgjidhjeve të mundshme dhe të qenit pjesë e vendimmarrjes. Për këtë arsye, gjatë vitit 2020, YWCA of Albania aplikoi projektin “Fuqizimi i partneriteteve lokale gjatë pandemisë Covid-19” që kishte në fokus punën me stafin psikosocial për të paraqitur strategjitë e duhura të përgjigjes ndaj pandemisë me qëllim përmirësimin e shëndetit mendor. Projekti u zbatua në 3 zona: Berat, Lezhë dhe Kukës.

Në secilën zonë u zhvilluan trajnime me tema të ndryshme, të tilla si:

Shëndeti mendor gjatë pandemisë. Pandemia COVID-19 ishte një tronditje për të gjithë ne dhe u shoqërua me pasoja në shëndetin mendor dhe mirëqenien. Fokusimi në shëndetin mendor duhet të jetë një përparësi, veçanërisht për fëmijët që janë më vulnerabël dhe kanë nevojë për më shumë mbështetje dhe kujdes gjatë situatave traumatike.

Fëmijët dhe shëndeti mendor. Shkollat mund të shërbejnë si një vend i sigurt, ku fëmijët mund të mësojnë se si të menaxhojnë frikën, shqetësimin dhe si të shprehin ndjenjat e tyre në mënyra të përshtatshme. Për këtë arsye, roli i psikologëve dhe punonjësve socialë është thelbësor për të rritur qëndrueshmërinë e fëmijëve. Gjatë takimeve u diskutua mbi reagimin e fëmijëve ndaj kësaj situate bazuar në moshën e tyre të zhvillimit.

Stigma. Stigma lidhet me mungesën e njohurive për mënyrën se si përhapet COVID-19, nevojën për të fajësuar dikë dhe frikën për sëmundjen dhe vdekjen. Kështu, psikologët dhe punonjësit socialë duhet të zhvillojnë seanca informimi për të reduktuar stigmën.

Teknikat psikologjike. Një pjesë e rëndësishme e workshop-eve ishte prezantimi i teknikave psikologjike, si përgjigje ndaj një situate stresuese.

Gjatë kësaj iniciative u trajnuan 60 psikologë shkolle dhe punonjës socialë në 3 zona. Gjithashtu u prezantua një plan i detajuar i punës në lidhje me teknikat psikosociale në lidhje me situatën e krijuar nga Covid-19.