Edukim

Angazhimi ynë në çështjet e edukimit të fëmijëve, por edhe të prindërve i ka fillimet e veta mbi një dekadë më parë me hapjen e Kursit profesional për bebisiter (1999) dhe Të qendrës ditore të kujdesit për fëmijë (2002). Këto çështje kanë marrë përparësi të madhe në veprimtaritë e Shoqatës, veçanërisht këto vitet e fundit, duke u shtrirë e thelluar akoma më shumë. Leximi, puna me librin në përgjithësi janë konsideruar si një prej drejtimeve kryesore, ku duhet të përqendrohet puna jonë.
Projekti “Shqipëria lexon” – Duke njohur rëndësinë e jashtëzakonshme të librit për zhvillimin e aftësive të fëmijëve që në vitet e para të jetës; duke qenë të vetëdijshëm për mungesën e një tradite, që i njeh dhe i afron fëmijët me librin shumë kohë përpara se ata të hyjnë në shkollë; por dhe duke parë mungesën e kushteve e të mundësive për realizimin e kësaj veprimtarie me dobi dhe pasoja jetësore për formimin e fëmijëve, është ndërmarrë, në bashkëpunim me UNICEF-in dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, një projekt i gjerë i titulluar Shqipëria lexon.

Në kuadër të tij, mbi 1700 mësues të ciklit parashkollor në rrethet Kukës, Shkodër, Berat, Durrës, Fier, Has, Tropojë, Elbasan,Korçë e Tiranë, janë trajnuar për të njohur e zbatuar metoda sa më efikase të punës me librin në moshat parashkollore.
Krahas mësuesve, është punuar njëherësh me disa qindra prindër për t’i njohur ata me rëndësinë dhe metodat konkrete të punës me librin që ata duhet t’i zbatojnë vetë me fëmijët e tyre të moshës parashkollore.
Puna me vetë fëmijët ka qenë po ashtu një ndër komponentët kryesorë të veprimtarisë. Me qindra fëmijë të moshës parashkollore të zonave të pazhvilluara në rrethet e sipërpërmendura, si dhe fëmijë të pakicave rome e ballkano-egjiptiane, të cilët nuk kanë mundësi të ndjekin kopshtin, janë vënë në kontakt me librin. Për herë të parë një bibliotekë lëvizëse (ambulante) ka shkuar në dhjetëra fshatra e qendra të vogla të banuara duke iu mundësuar fëmijëve kontaktin e drejtpërdrejtë me librin në vend, por edhe familjarizimin me të duke e huajtur dhe marrë në shtëpi për disa ditë.
Përveç kësaj, në mjediset e bibliotekës lëvizëse punonjësit tanë të specializuar kanë punuar me fëmijët duke iu lexuar libra, duke iu treguar përralla, duke vënë në miniskenë pjesë të shkurtra teatrale, duke organizuar seanca vizatimi dhe hapje ekspozitash me punët më të mira.

Projekti “Çdo fëmijë rom në kopsht” – Në përgjigje të një nisme tjetër të UNICEF-it si dhe në bashkëpunim me organizata të tjera, që kanë në fokus të veprimtarisë së tyre punën me fëmijët, shoqata jonë është angazhuar në një fushatë të gjerë dhe punë konkrete në terren në 4 qarqe të Shqipërisë për të rritur numrin e fëmijëve romë që ndjekin kopshtin.
Ky objektiv i rëndësishëm po synohet të arrihet nëpërmjet një bashkëpunimi e koordinimi të ngushtë të veprimeve me pushtetin lokal (bashki e komuna) dhe institucione të ndryshme (shtetërore dhe të shoqërisë civile), që ofrojnë kujdes e mbrojtje për fëmijët.
Puna informuese dhe propoganduese me prindër të fëmijëve romë të moshës parashkollore është një përbërës tjetër i rëndësishëm i kësaj veprimtarie. Pa ndërgjegjësimin e tyre për vlerat dhe dobitë e arsimit parashkollor për jetën e ardhshme të fëmijëve, realizimi i projektit do të vihej në dyshim, madje do të rrezikohej së tepërmi.
Projekti, gjithashtu, parashikon të ndjekë me rregullsi e skrupulozitet regjistrimin e fëmijëve romë në kopshte dhe të kryejë monitorimin e vazhdueshëm të tyre.

Projekti “Shkolla ime është një vend i sigurt” është zbatuar nga YWCA of Albania, me mbështetjen e UNICEF Albania dhe në bashkëpunim me MASR. Projekti u aplikua në 20 shkolla në 4 qytete të ndryshme të Shqipërisë (Lezhë, Tiranë, Korçë dhe Berat).

Projekti bazohet në aplikimin e ndërhyrjeve për sjelljet pozitive (NSP) si një sistem praktik që sjell rritje të klimës pozitive në shkollë, duke krijuar strategji për sjellje pozitive, si dhe ndërton një sistem ku të mësuarit është më i lehtë, më inkurajues dhe shumë më i suksesshëm. Qasja kryesore e projektit bazohet në zëvendësimin e teknikave ndëshkuese të disiplinimit me metoda të reja pozitive.

Ndërhyrja e quajtur “Shkolla ime është një vend i sigurt” bazohet në tre elementë kryesorë: I sigurt, I respektueshëm dhe I përgjegjshëm (3I). Projekti përqendrohet në parandalimin e sjelljeve të papërshtatshme dhe ka një qasje pozitive aplikimi. Qëllimet kryesore të projektit janë: të zhvillojë një kulturë pozitive në shkolla që promovon mësimdhënien frymëzuese dhe të angazhuar, të zvogëlojë dhe eliminojë format ndëshkuese të disiplinimit, për t’u dhënë mundësi nxënësve të kuptojnë dhe të hartojnë rregulla pozitive, të vendosë bashkëpunimin prind-shkollë-komunitet për vazhdimësinë e sjelljeve pozitive dhe të inkurajojë mësuesit të përdorin teknika pozitive për menaxhimin e klasës dhe shkollës.

Vlerësimi i klimës në shkollë. YWCA ka krijuar instrumente të vlerësimit të klimës në shkollë. Mësuesit janë trajnuar sesi mund të përdorin pyetësorët, intervistat dhe vëzhgimin me qëllim vlerësimin e klimës në shkollë. Vlerësimi i klimës në shkollë është shumë i rëndësishëm me qëllim krijimin e një plani strategjik dhe ngritjen e rekomandimeve të suksesshme për zbatimin e NSP dhe 3Ive. Rreth 2300 nxënës, mësues dhe prindër kanë qenë pjesë e vlerësimit të klimës në shkollë.

Raporti përfundimtar. Faza e fundit e projektit ka qenë vlerësimi i projektit, bazuar në tre komponentë kryesorë: njohuritë, qëndrimet dhe praktikimi I 3Ive. Në këtë raport final, me qëllim eksporimin në detaje të iniciativës janë administruar pyetësorë dhe intervista me mësuesit, nxënësit dhe prindërit. SIpas të dhënave, implementimi ka qënë shumë i suksesshëm dhe ka sjellë ndryshime pozitive në shkollë, shtëpi dhe komunitet. “Shkolla ime është një vend i sigurtë“ bazuar në qasjen e NSP dhe 3I-ve ka rezultuar shumë e nevojshme me qëllim përballimin me sukses të dy ngjarjeve traumatike të përballura: tërmetit dhe izolimit si pasojë e Covid-19.

 

Projekti “Mbështesim edukimin”, zbatuar nga YWCA of Albania, me mbështetjen e Global Albanians Foundation, u zbatua në shkollën “Gjergj Kastrioti”, në Lezhë. Qyteti i Lezhës ka qenë një nga zonat më të dëmtuara nga tërmeti i nëntorit të vitit 2019. Kështu, shkolla “Gjergj Kastrioti” u përzgjodh duke qenë se ishte një nga ndërtesat më të prekura, si dhe nxënësit u zhvendosën për realizimin e mësimit në një ambient tjetër.

Me një fokus edhe tek shëndeti mendor, iniciativa u fokusua në përmbushjen e nevojave të nxënësve, nëpërmjet shpërndarjes së paketave me mjete mësimore dhe higjenike. Gjithashtu, janë shpërndarë edhe libra, si një strategji e suksesshme ndaj ngjarjeve traumatike dhe si mënyrë për të kaluar kohë cilësore prind-fëmijë. YWCA ka synuar që të promovojë leximin si një teknikë që përmirëson aspektin psikologjik.

Gjatë vitit 2020, në kuadër të projektit janë shpërndarë 640 paketa, që përmbanin materiale në lidhje me të mësuarin, produkte higjenike dhe libra. Produktet janë përzgjedhur që të lehtësojnë fëmijët gjatë procesit të të nxënit, si dhe t’ju japin mundësi që të jenë të shëndetshëm dhe të sigurtë përgjatë periudhës së pandemisë.

Gjithashtu, YWCA ka dizenjuar broshurën “Si të përballemi me ngjarjet traumatike”. Tek materiali përshkruhet kuptimi i ngjarjeve traumatike, simptomat psikologjike, ndryshimet fizike, problemet me kognicionin, impakti i traumës psikologjike në performacën akademike, si dhe strategjitë e mbështetjes dhe teknikat e suksesshme për të përballuar ngjarjet e vështira.