Na Ndiqni:

Shoqata Boterore

Home Shoqata Boterore

Shoqata Boterore

Shoqata Kristiane e Grave Shqiptare (Young Women’s Christian Association of Albania – YWCA of Albania) u krijua dhe funksionon si një shoqatë e pavarur kombëtare, por njëherësh pjesë e rrjetit të Shoqatave Kristiane të Grave të Reja në mbarë botën, të bashkuara rreth të njëjtave vlera, ideale e qëllime nën Shoqatën Botërore të Grave të Reja Kristiane (World Young Womens Christian Association – World YWCA).

Rrënjët e Shoqatës Botërore (World YWCA) duhen kërkuar në mesin e shekullit XIX, me krijimin më 1855 të Shoqatës së parë Kristiane të Grave të Reja (YWCA) në Britaninë e Madhe. Në kushtet e revolucionit industrial, të proceseve të vrullshme të industrializimit dhe urbanizimit, që po zhvilloheshin aso kohe në shumë prej vendeve europiane, Shoqata Kristiane lindi për t’iu përgjigjur nevojave të vajzave të reja e grave, që po vërshonin nga fshati drejt qytetit.
E krijuar prej grave kristiane, por që ishin të hapura ndaj feve e besimeve të tjera, Shoqata kërkonte t’u siguronte vajzave e grave strehim të sigurt, mundësi për zhvillim profesional e shoqërizim, edukim sipas parimeve të moralit kristian etj.

Mbi të njëjtat vlera e me të njëjtat synime u krijuan më pas Shoqata Kristiane edhe në SHBA, Norvegji e Suedi, të cilat u bashkuan më 1894-n për të formuar Shoqatën Botërore (World YWCA), të parën organizatë ndërkombëtare të pavarur të grave në botë.

Shoqata Botërore (World YWCA) numëron sot rreth saj 125 shoqata kombëtare në mbarë botën, ku aderojnë rreth 25 milionë anëtare. Një rrjet global – më i madhi ekzistues – ku bëjnë pjesë vajza e gra të të gjitha racave, moshave, bindjeve fetare, profesioneve e formimeve, të cilat përpiqen e luftojnë për fuqizimin e tyre si dhe për përparimin e shoqërive ku jetojnë. Qysh kur është formuar e deri sot, Shoqata Botërore (World YWCA) s’ka rreshtur së punuari për të ndërgjegjësuar shoqërinë mbi problemet dhe të drejtat e grave e të vajzave si dhe për të përmirësuar statusin e tyre.

Shoqata Botërore (World YWCA) ka strukturën e vet organizative, me selinë e zyrave të saj në Gjenevë të Zvicrës, prej nga mbështet dhe bashkërendon politikat dhe veprimtarinë e Shoqatave kombëtare në mbarë botën.