Të drejtat e njeriut (gratë, vajzat dhe fëmijët)

Shoqata Kristiane e Grave Shqiptare (YWCA of Albania) është një prej 60 shoqatave kombëtare – anëtare të Shoqatës Botërore (World YWCA) – e angazhuar aktivisht në çështjen e të drejtave të grave e të fëmijëve në kuadrin e të drejtave të njeriut.
Me qindra gra e vajza prej komunitetit rom e ballkano-egjiptian, gra e vajza të fshatit, ato që kanë migruar prej zonave veriore e verilindore të Shqipërisë e janë vendosur në periferi të kryeqytetit e qyteteve të tjera të mëdha të vendit, ish-të trafikuara dhe gra me liri të kufizuar (gra të burgosura) kanë ndjekur seminare e kurse trajnimi për t’u njohur me të drejtat e tyre si të drejta të njeriut.

Informacion i hollësishëm është dhënë mbi të drejtat e njeriut në përgjithësi, me vështrim të posaçëm në të drejtat e fëmijëve dhe të drejtat e grave (e drejta për punësim, për riprodhim, e drejta seksuale etj.).

Edukimi, ndërgjegjësimi dhe aftësimi për t’iu kundërvënë dhunës në familje ka përbërë, gjithashtu, një prej elementeve bazë të seminareve të zhvilluara me të gjitha kategoritë e grave pa përjashtim.

Për të parandaluar përhapjen e fenomenit të trafikimit të qenieve njerëzore, dukuri e pranishme në shoqërinë shqiptare që prej fillimit të viteve 90, Shoqata ka zbatuar një program të detajuar edukimi antitrafik me gratë, vajzat dhe fëmijët e minoritetit rom dhe ballkano-egjiptian, si grupet më të rrezikuara. Ndërgjegjësimi i tyre për rrezikun e trafikimit dhe aftësimi për të mos u bërë viktimë e trafikantëve kanë përbërë synimin kryesor të seminareve të zhvilluara.

Të drejtat e grave dhe të vajzave të minoritetit rom dhe ballkano-egjiptian janë vështruar edhe në një aspekt tjetër: si të drejta për të njohur, ruajtur e kultivuar gjuhën, prejardhjen, traditat dhe kulturën e tyre. Njohja dhe edukimi me këto të drejta është realizuar përmes kursesh verore në disa dhjetëra vendbanime të komunitetit rom.

Edukimi i prindërve me të drejtat e fëmijëve është një tjetër drejtim i punës së Shoqatës në fushën e të drejtave të njeriut. Eshtë punuar për të siguruar një kontingjent prindërish jo vetëm të mirinformuar, por edhe të pajisur me aftësi për të trajnuar prindër të tjerë për të drejtat e fëmijëve.

Më shumë gra dhe vajza të informuara e të ndërgjegjësuara për të drejtat e tyre e të fëmijëve do të mbetet një prej sfidave të mëdha, me të cilën do të përballet Shoqata edhe në vitet që vijnë.