Sherbime per grate dhe femijet

Një ndër rrugët që Shoqata Kristiane e Grave Shqiptare (YWCA of Albania) ka zgjedhur për të realizuar misionin e saj të rëndësishëm – fuqizimin e grave e të vajzave – është ngritja dhe funksionimi i një numri shërbimesh të posaçme për to dhe fëmijët e tyre.

Një Qendër e kujdesit ditor për fëmijë të moshës parashkollore (3-6 vjeç) është ngritur për t’iu ardhur në ndihmë nënave, kryesisht atyre me probleme sociale dhe ekonomike (gra të papuna apo me të ardhura të pakta, gra të ndara apo që iu kanë vdekur bashkëshortët, vajza-nëna etj.). Qëndrimi i fëmijëve në Qendër përgjatë gjithë paradites i lehtëson nënat nga barra e rëndë e ngarkesave të shumta, duke iu krijuar njëherësh atyre edhe mundësi për t’u vënë në kërkim të një pune.

Me Kurse trajnimi për bebisiter Për nënat e fëmijëve që frekuentojnë Qendrën ditore, por edhe të tjera, anëtare apo mikesha të Shoqatës, funksionon edhe një Qendër këshillimi. Probleme që kanë të bëjnë me edukimin e fëmijëve, me psikologjinë e tyre, por edhe ato që u takojnë vetë nënave, mund të diskutohen me një psikolog si dhe një punonjëse sociale, por edhe midis vetë nënave, të cilat kanë një shqetësim të përbashkët.

Një Bibliotekë për gra e vajza – e para dhe deri më sot e vetmja bibliotekë e këtij lloji – gjendet në mjediset e Shoqatës. Mbi 3000 tituj librash, por edhe revista e gazeta në shqip e në gjuhë të huaja janë në dispozicion të grave e të vajzave.
Pjesë e kësaj biblioteke është, gjithashtu, Biblioteka e prindit, e ngritur për t’u shfrytëzuar posaçërisht prej prindërve të fëmijëve.

Mjediset e bibliotekës janë një vend që gratë dhe vajzat e frekuentojnë jo vetëm për të huajtur libra, revista e gazeta, por edhe për t’u takuar me njëra-tjetrën, për të biseduar e diskutuar, e mbi të gjitha për t’u informuar e mësuar lidhur me çështje në interes të tyre. Për këtë qëllim, një herë në muaj  organizohen takime me profesionistë e specialistë të fushave të ndryshme, sipas nevojave dhe kërkesave që kanë vetë gratë e vajzat. Biblioteka funksionon kështu edhe si një Qendër burimore informimi, edukimi dhe shoqërizimi për gra e vajza.

Qendra e punësimit, që ndërmjetëson për punësimin e grave e të vajzave të trajnuara si bebisiter dhe punëtore pastrimi, ofron në të njëjtën kohë një shërbim të rëndësishëm për një tjetër kategori, atë të grave që punojnë: iu garanton e iu  siguron bebisiter e punëtore pastrimi të formuara profesionalisht. Në këtë mënyrë grave dhe vajzave iu lehtësohet angazhimi në veprimtaritë profesionale e publike, madje ato nxiten të marrin pjesë sa më aktivisht në to.