Shëndeti i grave, vajzave, fëmijëve dhe të rinjve

Rritja e cilësisë së shëndetit të grave, të vajzave, të të rinjve e të fëmijëve është një prej përparësive të veprimtarisë së Shoqatës Kristiane të Grave Shqiptare (YWCA of Albania).

Është hartuar tashmë dhe po zbatohet një program i gjerë edukimi shëndetësor, i përqëndruar kryesisht në informim, ndërgjegjësim e parandalim për çështje të shëndetit riprodhues, të shëndetit seksual, si dhe problemet e HIV/AIDS-it. Rreth 1000 vetë – gra, vajza, nxënës shkollash, edukatorë, mësues, personel mjekësor – të zonave suburbane në Tiranë (Paskuqan, Yzberisht, Selitë, Allias etj.),  Durrës (Kënetë, Spitallë, Sukth, Shkozet), Berat (Moravë, Urë Vajgurore), të fshatrave (Mullet, Fikas, Arbanë etj.) e të qytetit të Tiranës dhe Beratit kanë marrë informacion dhe janë trajnuar për çështje të planifikimit familjar, metodat kontraceptive, infeksionet/sëmundjet seksualisht të transmetueshme (I/SST) dhe, në mënyrë të posaçme, për rrugët e përhapjes dhe mënyrat e parandalimit të infeksionit HIV.

Biseda informuese dhe ndërgjegjësuese për çështjet e mësipërme janë zhvilluar edhe me gra e të rinj të komunitetit rom dhe ballkano-egjiptian, me gra të burgosura dhe ish-të trafikuara,  gra të zonave suburbane dhe të migruara nga trevat rurale, etj.
Rritja këto vitet e fundit e numrit të të infektuarve me HIV në Shqipëri, si kudo në botë, veçanërisht në radhët e grave dhe të rinjve, e ka kthyer në kryepërparësi për Shoqatën çështjen e HIV/AIDS-it.

Krahas punës për informim dhe parandalim ndër personat e shëndoshë, po punohet me familjet e prekura prej infeksionit: fëmijë e të rinj të infektuar dhe prindërit e tyre. Në bashkëpunim të ngushtë me Shoqatën e Personave që Jetojnë me HIV/AIDS, iu jepet atyre rregullisht ndihmë financiare, informacion dhe mbështetje emocionale.

Një komunitet më i informuar dhe më i ndërgjegjësuar për çështjet e shëndetit riprodhues, atij seksual dhe HIV/AIDS-it do të vijojë të mbetet edhe për shumë kohë në të ardhmen një prej synimeve të veprimtarisë së Shoqatës Kristiane të Grave Shqiptare (YWCA of Albania).
Pjesë e rëndësishme e programit të edukimit shëndetësor të Shoqatës është bërë, që prej vitit 2009, edhe informimi, ndërgjegjësimi e parandalimi i kancerit të gjirit te gratë. Për këtë ka ndikuar fakti që numri i grave të prekura prej kancerit të gjirit në vendin tonë, sipas statistikave zyrtare, po rritet gjithnjë e më shumë, duke përbërë dhe shkakun kryesor të vdekjeve të tyre. Prej 6 vjetësh, në muajin ndërkombëtar të luftës kundra kancerit të gjirit, Shoqata, në bashkëpunim me një numër organizatash, korporatash dhe institucionesh shtetërore, organizon një ecje masive ndërgjegjësuese në bulevardin e Tiranës, ku marrin pjesë gra e vajza nga e gjithë Shqipëria. Ecja paraprihet prej një varg veprimtarish informuese e ndërgjegjësuese në terren.

Vetëm gjatë vitit 2011 mbi 500 grave nga fshatrat e rrethit të Shkodrës e të Lezhës (Pllanë, Shëngjin, Tale, Torovicë, Hot i Ri, Grudë e Re, Velipojë etj.) iu dha informacion për rrugët e zbulimit dhe të parandalimit të kancerit të gjirit, shoqëruar me ekzaminim me dorë të gjirit prej mjekut specialist si dhe mamografisë.Informimi dhe ndërgjegjësimi për mënyrat dhe vlerën e parandalimit të kancerit të gjirit do të përbëjë në vijimësi edhe për vitet që vijnë, një fushë prioritare të punës për Shoqatën.