Formim profesional për gra dhe vajza

Shoqata Kristiane e Grave Shqiptare (YWCA of Albania) i mbahet fort idesë se fuqizimi i vërtetë i grave e i vajzave mund të arrihet vetëm kur ato fuqizohen edhe ekonomikisht.
Për ta realizuar këtë, atyre iu duhet të pajisen me aftësi profesionale, që të jenë kështu konkurruese në tregun e sotëm të punës dhe t’ia dalin të gjejnë një punë, që iu siguron jo vetëm të ardhura, por edhe dinjitet.

Për t’u dhënë mundësi grave dhe vajzave që të aftësohen profesionalisht, Shoqata ofron rregullisht kurse trajnimi profesional: kurse trajnimi për bebisiter dhe kurse trajnimi për punëtore pastrimi.

Me Kurse trajnimi për bebisiter Shoqata nisi një traditë krejt të re në shoqërinë shqiptare, kur i hapi ato për herë të parë në v. 2000. Kjo, por, mbi të gjitha, cilësia tepër e lartë e përgatitjes dhe e formimit të kursanteve, i ka dhënë Shoqatës emër e njohje të gjerë si dhe besueshmëri të madhe. Janë rreth 1000 gra që kanë ndjekur me dhjetëra kurse për bebisiter të organizuara përgjatë 15 vjetëve, që nga Tirana e Durrësi, Elbasani, Lezha, Berat e Shkodra dhe deri në Vlorë.

Informacion për kurs
Kurset për bebisiter ofrohen për gra e vajza që kanë mbushur moshën 18 vjeç, kanë mbaruar arsimin e mesëm dhe kanë përkushtim e talent për t’u marrë me fëmijët. Çdo kurs zgjat 1 muaj. 3 javët e para të tij jepen njohuri teorike mbi zhvillimin fizik të fëmijëve nga 0-6 vjeç, mbi veçoritë e tyre psikologjike, njohuri mbi sëmundjet më të zakonshme që prekin këtë grupmoshë si dhe informim e aftësim për ndihmën e shpejtë. Javën e fundit kursantet zhvillojnë praktikë mësimore në mjediset e Qendrës së kujdesit ditor për fëmijët të ngritur pranë Shoqatës.
Me mbarimin e çdo kursi, pjesëmarrëset që e kanë ndjekur atë rregullisht, pajisen me një çertifikatë aftësimi, të njohur nga Ministria e Mireqenies Sociale dhe Rinise.
Kushdo që është pajisur me një çertifikatë të tillë mund t’i drejtohet më pas Qendrës së Punësimit, që funksionon pranë Shoqatës, e cila përpiqet të sigurojë punësim për këtë kontingjent grash e vajzash.

Kurse trajnimi për punëtore pastrimi janë një tjetër mundësi formimi profesional, që Shoqata ofron për gratë dhe vajzat në kërkim të një pune. Kurse të tilla janë organizuar në Tiranë e Durrës, ku janë trajnuar e aftësuar profesionalisht rreth 300 gra e vajza të papuna, ndër të cilat gra e vajza që kanë migruar prej zonave veriore e verilindore të Shqipërisë e janë vendosur përreth këtyre dy qyteteve të mëdha, por edhe gra e vajza nga minoriteti rom e ballkano-egjiptian, gra të dënuara me heqje lirie si dhe ish-të trafikuara.

Informacion për kurset
Kurset për punëtore shtëpie ofrohen për gra e vajza, që kanë mbushur moshën 18 vjeç.

  • Çdo kurs zgjat 2 javë, periudhë gjatë së cilës merren njohuri të hollësishme për proceset, mjetet, lëndët e pastrimit si dhe elemente bazë të etikës e të komunikimit.
  • Pjesëmarrëset që e kanë ndjekur rregullisht kursin, pajisen në mbarim të tij me një çertifikatë.
  • Qendra e punësimit që funksionon pranë Shoqatës, bën më pas përpjekje për punësimin e ish-kursanteve.