Edukim

Angazhimi ynë në çështjet e edukimit të fëmijëve, por edhe të prindërve i ka fillimet e veta mbi një dekadë më parë me hapjen e Kursit profesional për bebisiter (1999) dhe Të qendrës ditore të kujdesit për fëmijë (2002). Këto çështje kanë marrë përparësi të madhe në veprimtaritë e Shoqatës, veçanërisht këto vitet e fundit, duke u shtrirë e thelluar akoma më shumë. Leximi, puna me librin në përgjithësi janë konsideruar si një prej drejtimeve kryesore, ku duhet të përqendrohet puna jonë.

“Shqipëria lexon” (2011 – 2013 ) – Duke njohur rëndësinë e jashtëzakonshme të librit për zhvillimin e aftësive të fëmijëve që në vitet e para të jetës; duke qenë të vetëdijshëm për mungesën e një tradite, që i njeh dhe i afron fëmijët me librin shumë kohë përpara se ata të hyjnë në shkollë; por dhe duke parë mungesën e kushteve e të mundësive për realizimin e kësaj veprimtarie me dobi dhe pasoja jetësore për formimin e fëmijëve, është ndërmarrë, në bashkëpunim me UNICEF-in dhe Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, një projekt i gjerë i titulluar Shqipëria lexon.

Në kuadër të tij, mbi 1700 mësues të ciklit parashkollor në rrethet Kukës, Shkodër, Berat, Durrës, Fier, Has, Tropojë, Elbasan,Korçë e Tiranë, janë trajnuar për të njohur e zbatuar metoda sa më efikase të punës me librin në moshat parashkollore.

Krahas mësuesve, është punuar njëherësh me disa qindra prindër për t’i njohur ata me rëndësinë dhe metodat konkrete të punës me librin që ata duhet t’i zbatojnë vetë me fëmijët e tyre të moshës parashkollore.

Puna me vetë fëmijët ka qenë po ashtu një ndër komponentët kryesorë të veprimtarisë. Me qindra fëmijë të moshës parashkollore të zonave të pazhvilluara në rrethet e sipërpërmendura, si dhe fëmijë të pakicave rome e ballkano-egjiptiane, të cilët nuk kanë mundësi të ndjekin kopshtin, janë vënë në kontakt me librin. Për herë të parë një bibliotekë lëvizëse (ambulante) ka shkuar në dhjetëra fshatra e qendra të vogla të banuara duke iu mundësuar fëmijëve kontaktin e drejtpërdrejtë me librin në vend, por edhe familjarizimin me të duke e huajtur dhe marrë në shtëpi për disa ditë.
Përveç kësaj, në mjediset e bibliotekës lëvizëse punonjësit tanë të specializuar kanë punuar me fëmijët duke iu lexuar libra, duke iu treguar përralla, duke vënë në miniskenë pjesë të shkurtra teatrale, duke organizuar seanca vizatimi dhe hapje ekspozitash me punët më të mira.

“Çdo fëmijë rom në kopsht” (2013 – 2014) – Në përgjigje të një nisme tjetër të UNICEF-it si dhe në bashkëpunim me organizata të tjera, që kanë në fokus të veprimtarisë së tyre punën me fëmijët, shoqata jonë është angazhuar në një fushatë të gjerë dhe punë konkrete në terren në 4 qarqe të Shqipërisë për të rritur numrin e fëmijëve romë që ndjekin kopshtin.

Ky objektiv i rëndësishëm po synohet të arrihet nëpërmjet një bashkëpunimi e koordinimi të ngushtë të veprimeve me pushtetin lokal (bashki e komuna) dhe institucione të ndryshme (shtetërore dhe të shoqërisë civile), që ofrojnë kujdes e mbrojtje për fëmijët.

Puna informuese dhe propoganduese me prindër të fëmijëve romë të moshës parashkollore është një përbërës tjetër i rëndësishëm i kësaj veprimtarie. Pa ndërgjegjësimin e tyre për vlerat dhe dobitë e arsimit parashkollor për jetën e ardhshme të fëmijëve, realizimi i projektit do të vihej në dyshim, madje do të rrezikohej së tepërmi.

Projekti, gjithashtu, parashikon të ndjekë me rregullsi e skrupulozitet regjistrimin e fëmijëve romë në kopshte dhe të kryejë monitorimin e vazhdueshëm të tyre.